Ndoshta aspekti më i shpeshtë i menaxhimit efektiv në klasë është krijimi i rregullatve dhe procedurave në klasë. Rregullat dhe procedurat përcjellin mesazhin që “Unë jam këtu për të dhënë mësim dhe ju jeni këtu për të mësuar.” Ato i ndihmojnë nxënësit të mendojnë se klasa është një vend i sigurt dhe i organizuar. Rregullat dhe procedurat i referohen pritjeve të deklaruara për sjelljen e nxënësve, por rregullat identifikojnë pritjet ose standardet e përgjithshme; përshembull, një rregull i vetëm mund të përfshijë një gamë të gjerë të sjelljeve të pritshme. Një procedurë komunikon pritjet për sjellje specifike. Mësimdhënësit efektiv përdorin rregulla dhe procedura. Për shembull, ju mund të vendosni rregullin “Respektoni nxënësit e tjerë dhe pronën e tyre” dhe gjithashtu të krijoni procedura të veçanta për kthimin e librave në bibliotekë dhe pjesëmarrjen me respekt në diskutimet në klasë.
Numri dhe lloji i rregullave dhe procedurave ndryshojnë nga klasa në klasë, por çdo mësimdhënës i mirë i ka ato. Si e trajtojnë nxënësit njëri-tjetrin, kur dhe si nxënësit mund të dergohet tek pedagogu / psikologu/drejtori, dhe kur është e përshtatshme të flasim në klasë, janë tema të zakonshme për rregullat dhe procedurat në çdo klasë.
Hulumtimet mbështesin qartë idenë se hartimi dhe zbatimi i rregullave dhe procedurave në klasë, madje edhe në shtëpi, ndikon ndjeshëm në sjelljen dhe mësimin e nxënësve. Por studimet tregojnë gjithashtu që rregullat dhe procedurat nuk duhet thjesht të imponohen për nxënësit; ato duhet të krijohen bashkë me nxënës.
Mësimdhënësit efektiv kalojnë kohën për të shpjeguar arsyet që fshihen pas rregullave dhe procedurave të veçanta, përfshijnë nxënësit në krijimin e tyre dhe çmojnë kontributin e tyre sa më shumë që të jetë e mundur. Kur nxënësit janë të përfshirë në këtë proces, ata kanë më shumë të ngjarë të respektojnë rregullat dhe procedurat e klasës së tyre.
Por, para se të lexoni modulet në këtë pjesë, reflektoni në bindjet, perspektivat, praktikat dhe përvojat tuaja në lidhje me rregullat dhe procedurat për klasën tuaj. Pastaj mendoni përgjigjet tuaja në pyetjet e mëposhtme në hapësirën e dhënë. Përgjigjet tuaja do t’ju japin një bazë për krahasim kur të lexoni në lidhje me strategjitë e rekomanduara për menaxhim klase, në modulet e ofruara në vijim.
Hulumtuesit nxjerrin në pah disa fusha(module) për t’u marrë parasysh për rregullat dhe procedurat në klasë, të cilat do t’i gjeni në artikujt në vijim./ARTMESIMI.COM/
Ky artikull është përshtatur kryesisht nga teksti: “A handbook for classroom management that works”(2005)